Pas zotimit të kryeministrit grek Aleksis Tsipras, edhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos ka deklaruar se Athina zotohet për të përshpejtuar regjistrimin dhe identifikimin e refugjatëve duke përfunduar krijimin e pesë pikave të hyrjes së tyre në ishujt Samos, Lesbo, Kios, Kos dhe Leros pranë bregdetit turk, si dhe të dy kampeve të pritjes për disa mijëra emigrantë në Greqinë kontinentale.

“Unë dua t’ju siguroj se të gjitha hotspot-et dhe të dy qendrat do të jene gati para 15 shkurtit. Ky është angazhimi ynë”, ka deklaruar Kamenos.

Deklarata e ministrit është bërë nga ishulli grek Kos, gjatë një vizite në të cilën helikotperi i tij është penguar në fillim të ulej për të inspektuar punimet nga pakënaqësia e banorëve për krijimin e qendrës së pritjes.

BE e ka kritikuar Greqinë për neglizhimin e detyrimeve të saj në kontrollin dhe pajisjen me dokumenta të refugjatëve, ndërsa disa anëtarë të Unionit kanë kërkuar për këtë arsye edhe pezullimin e saj të përkohshëm nga zona e Shcengenit.

Por Kamenos nga ana e tij ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që vendi të shndërrohet në një “kamp përqëndrimi për emigrantët”.

“Disa prej europianëve mund të dëshirojnë që ta shndërrojnë Greqinë në një kamp përqendrimi, apo në një depo për njerëzit. E pra, ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ka thënë Kamenos.

“Nuk luftova që të shmang largimin e Greqisë nga euro, që të lejoj daljen e saj nga Schengen”, ka deklaruar nga ana tjetër presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, që ka theksuar se Brukseli kërkon ta ndihmojë Athinen që të përmbushë angazhimet që i takojnë, si pjesëtare e zonës Schengen.

Ndërkohë, megjithë detin e trazuar dhe motin e ftohtë, vetëm brenda janarit të këtij viti mbi 62.000 refugjate nga zonat e luftës si Siria, Iraku dhe Afganistani kanë mbërritur në ishujt grekë nga brigjet turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA