Pas paralajmërimeve nga Brukseli për të bërë më shumë në kontrollin e fluksit të emigrantëve dhe disa kërcënimeve nga disa shtete anëtare të BE-së për izolimin nga zona Schengen, qeveria greke kalon në veprime konkrete. Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit, ajo ka vendosur që për çështjen e refugjatëve të aktivizojë edhe ushtrinë.

Në të njëjtën kohë është vendosur përshpejtimi i ngritjes së pesë pikave të hyrjes në ishujt grekë, të ashtuquajturat “hotspots”, si dhe të dy kampeve të mëdha të pritjes dhe identifikimit të refugjatëve në Greqinë kontinentale. 

Ministria e Mbrojtjes do të ketë koordinatorët e saj në pesë qendrat e pritjes në ishuj, do të ndihmojë dhe mbikqyrë me të gjitha mjetet në dispozicion përfundimin e projekteve të ndërtimit të tyre në mënyrë që të jenë të gatshme për operim brenda dy javëve të ardhshme, do të ndihmojë me staf në funksionimin e mencave për refugjatët si dhe do të japë dy reparte ushtarake për strehimin në fillim të 500 emigrantëve e më pas për rreth 4000 të tjerë.

Athina ka deklaruar se deri në samitin e ardhshëm të BE-së do të ketë përfunduar të gjitha ato që ka premtuar dhe shpreson se edhe partnerët e saj dhe institucionet europiane do të veprojnë më të njëjtën ndjenjë përgjegjësie.

Ndërkohë që ministri grek i Emigracionit, Janis Mouzalas ka ripërsëritur kritikat e tij për disa liderë europianë të cilët kanë kërcënuar Greqinë duke propozuar përjashtimin e saj nga zona e Schengen-it, edhe përfaqësuesi i OKB-së për emigracionin Piter Saterland, ka deklaruar orët e fundit se kjo ide jo vetëm që është çnjerëzore, por përbën edhe shkelje të rëndë të parimeve themelore europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA