Autoritetet greke kanë arrestuar dy të dyshuar si anëtarë të shtetit ISIS-it. Lajmi bëhet publik nga media lokale, të cilat njoftojnë për ndalimin e dy të dyshuarve në stacionin e autobusëve në qytetin kufitar me Turqinë, Aleksandrupoli.

Sipas mediave, dy të dyshuarit kishin mbërritur në këtë qytet me autobusin e linjës Athinë-Aleksandrupoli. Ata kishin ardhur në Athinë nga Suedia një ditë më parë dhe destinacioni i tyre final ishte Siria, ku do t’i bashkoheshin Shtetit Islamik.

Policia greke i ndaloi për të kryer një kontroll rutinë dhe në bagazhet e tyre gjeti uniforma ushtarake, thika dhe hanxharë. Menjëherë ata janë dërguar në Drejtorinë e Policisë, ku dhe janë marrë në pyetje prej autoriteteve.

Mësohet se dy të arrestuarit janë mbartës të pasaportave suedeze. Ata ishin nën hetim në Suedi si të dyshuar për akte terroriste.
Prej hetimeve u vërtetua se dy të arrestuarit do të shkonin në Stamboll, ku do të takoheshin me rekrutues të grupimeve radikale islame dhe në vazhdim do të shkonin për të luftuar në Siri.

Menjëherë autoritetet greke kanë njoftuar edhe homologët e tyre suedezë për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tyre në Suedi. Dy të ndaluarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie. Burime lokale thanë se me shumë gjasa ata do të procedohen në Greqi nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe në vazhdim do të presin ekstradimin në Suedi.

Pika kufitare në Kipus të Aleksanrupolit konsiderohet si një ndër portat kryesore të kalimit të ekstremistëve islamikë dhe armatimeve nga Europa drejt Sirisë. Pak muaj më parë, në këtë pikë kufitare u ndaluan armatime të nisura në formë ndihme prej myslimanëve të Francës për rebelët islamikë në Siri.

Autoritetet greke janë tepër të shqetësuara se mos mes mijëra emigrantëve që kalojnë çdo ditë nga ishujt e saj të Egjeut drejt Maqedonisë, hyjnë në vend edhe anëtarë të Shtetit Islamik, me qëllim kryerjen e akteve terroriste në tokën greke.

Për këtë qëllim janë marrë masa shtesë për ruajtjen e porteve, aeroporteve, kompanive amerikane dhe pikave ku grumbullohen turistë të huaj në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA