Ministria e Çështjeve Sociale nuk ka qënë asnjëherë në qendër të vëmendjes mediatike dhe politike, derisa atje u caktua Erion Veliaj. Ajo diskutohej vetëm kur koalicionet ndanin postet ministrore.
Dhe që pas zgjedhjeve të vitit 2001 deri në 2013-ën, kjo ministri është drejtuar nga aleatët përkatës të socialistëve, socialdemokratët, dhe nga aleatët e demokratëve, PBDNJ-ja. Spiro Ksera, e mbajti këtë post për 4 vjet, gjatë qeverisjes së mandatit të dytë të Partisë Demokratike, edhe pse ai nuk përfaqësonte me PBDNJ-në.
Përpara zgjedhjeve të 2009-ës, PBDNJ-ja u largua nga koalicioni me kryeministrin Berisha. Vangjel Dule iu bashkua opozitës së Edi Ramës, por nuk mundi të tërheqë me vete as kryetarin e OMONIA-s së degës së Gjirokastrës, Spiro Ksera, një nga njerëzit më me ndikim në minoritetin grek në qarkun e Gjirokastrës, dhe as mandatin e deputetit që ai e fitoi në 2009, këtë radhë për llogari të PD.
Influencën politike mes minoritarëve Spiro Ksera e kishte rritur gjatë kohës kur për shkak të marrëveshjes bashkëqeverisëse mes Partise Demokratike dhe PBDNJ-së, ai u caktua Prefekt i Gjirokastrës. Një detyrë që e ushtroi për 4 vjet, deri në zgjedhjet e vitit 2009. Kur Spiro Ksera refuzoi të largohej nga koalicioni me Partinë Demokratike, ai u bë pjesë e listës së deputetëve të forcës që kërkonte një mandat të dytë qeverisës dhe e fitoi atë, duke i siguruar Partisë Demokratike 2 nga 5 mandatet e Qarkut të Gjirokastrës.
Një arsye përse Spiro Ksera, që tani përfaqësonte vetëm një deputet minoritar, mori postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Në vitin 2013, Spiro Ksera ishte sërish në listën e kandidatëve për deputetë, por disfata e demokratëve ishte e rëndë. Spiro Ksera nuk u zgjodh deputet, u tërhoq nga jeta aktive politike dhe për të nuk u dëgjua më…deri mbrëmjen e së premtes, kur iu vunë prangat me akuzën e korrupsionit.
Një akt që është pasuar me heshtjen e Partisë Demokratike, me të cilën ndau 8 vjet pushtet në postet më të larta qeverisëse. Heshtje që përkon gjithashtu, me afrimin në Partinë Demokratike, të armikut të tij më të madh politik, Vangjel Dules.
Top Channel