Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti kundërshton shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, pasi sipas tij, një gjë e tillë dëmton procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Shtyrja e zgjedhjeve të caktuara për më 24 prill, sipas Ahmetit, mund të bëhet shkak edhe për tensionimin e situatës si dhe të pengojnë autoritetet në menaxhimin e krizës së refugjatëve.

“Po u shty data e zgjedhjeve ne humbim një datë shumë të rëndësishme, siç është ajo për mbajtjen e samitit të Natos. Për zhvillimet e brendshme në vend nuk është mirë sepse mund të ketë tensionime”, thotë Ahmeti.

Drejtuesit i partisë shqiptare në pushtet, BDI, vlerësojnë se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill pasi tashmë pikat kryesore të marrëveshjes së 2 qershorit janë zbatuar.

“Me rëndësi për ne është që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, të përmbushin të gjitha standardet që kërkohen nga ndërkombëtarët. Këto do të jenë zgjedhjet më të vëzhguara që janë mbajtur deri tani në Maqedoni”, shtoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, Ahmeti i bëri thirrje të gjitha partive të ndihmojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe të mos bëhen shkak për thellimin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA