UNMIK, analistët: Realizim i ambicies së kundërshtarëve të pavarësisë

29/01/2016 13:50

Miratimi i rezolutës për Kosovën nga Këshilli i Evropës me amendamentet e sponsorizuara nga Serbia, analistët kosovarë e vlerësojnë si konfirmim të ngecjes së Kosovës dhe realizim i ambicieve të kundërshtarëve të pavarësisë, të cilët po kërkojnë të rifuqizojnë misionin e UNMIK-ut në Prishtinë.

Analisti Arben Ahmeti tha se rezoluta e miratuar në Këshillin e Evropës do të përdoret nga Serbia dhe Rusia në OKB për të kërkuar tani edhe më shumë fuqi ekzekutive për UNMIK-un.

“Rezoluta është thirrje politike, pra nuk ka peshë juridike. Pesha juridike do të vendoset në Komitetin e pestë në fund të muajit mars në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nëse aty vendoset që të krijohet ky Departamenti për Sundimin e ligjit dhe shërbimit korrektues në kuadër të UNMIK-ut, atëherë Kosova do të kthehet në një gjendje të para shpalljes së pavarësisë”, thotë analisti Arben Ahmeti.

Ndërsa analisti Naim Rashiti vlerëson se rezoluta më shumë do të ketë pasoja afatshkurtra dhe zvarritje për Kosovën në rrugën e saj për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Nuk ka ndonjë efekt afatgjatë, por ka konsekuenca të shpejta siç është ajo edhe si rrjedhojë e dështimit të anëtarësimit në UNESCO. Në një farë forme e zmbraps agjendën e Kosovës për anëtarësim të EUOPOL dhe INTERPOL, diçka që ka qenë duke u përgatitur dhe për çka ka lobuar Prishtina. E dyta, Prishtina ka qenë në përgatitje të një agjende për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe në njëfarë forme kjo rezolutë apo këto amendamente e ngadalësojnë rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës”, thotë Rashiti.
 
Rashiti u ka bërë thirrje deputetëve dhe Qeverisë së Kosovës që të koordinohen më shumë me kolegët e tyre në Tiranë dhe Shkup, për të siguruar më shumë vota pro Kosovës nëpër institucione dhe organizata ndërkombëtare ku Kosova nuk është anëtarësuar ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA