Artan Sherifi, administrator i një kompanie ndërtimi, u dënua në mungesë me 6 vjet burgim për mashtrim. Për këtë vepër, 45-vjeçari është dënuar edhe parë me 20 vjet burg, pasi ka mashtruar të pakten 23 shtetas, duke u shitur apartamente që ua kishte shitur më parë të tjerëve.
Por ky nuk është i vetmi. Vetëm gjatë këtij muaji, në Prokurorinë e kryeqytetit janë regjistruar 16 denoncime për administratorë firmash ndërtimi për të tilla mashtrime. Ali Tafaj është një në dhjetra qytetarë të mashtruar, i cili që prej 2003-shit po endet nga njëra gjykatë në tjetrën. Njeriu që e mashtroi u dënua me nëntë vjet burgim, por sidoqoftë ai ende nuk ja ka dalë ta marrë objektin e parapaguar.
“E parapagova. Bëra kontratë sipërmarrjeje. Ai falimentoi, unë kisha paguar. Mora kredi dhe e mbylla vetë dyqanin që ndërtova. Kur mbaroj marr vesh që dyqani ishte shitur edhe tek dikush tjetër. Tani jam gjyqeve me këtë tjetrin që prej 2003-shit”, rrëfen ai.
Zv.kryetari i Dhomës së Noterisë, Fatmir Lacej tregon se këto manovrime të ndërtuesve duke mashtruar qytetarët vijnë nga vakuumi ligjor.
“Sepse bëhet kontratë-premtim shitjeje , pastaj kjo nuk hidhet askund. Duhet regjistruar diku. Kemi thënë ose bëjmë një sistem në bashki, ose diku tjetër. Kemi marrë vesh që ka një projektligj për ZRRP. Kjo gjë do ta zgjidhë këtë çështje”, thotë Lacej.
Vetëm për vitin që kaloi, Prokuroria e Tiranës numëroi rreth 100 denoncime për shit-blerjen e apartamenteve jo një, por disa personave, ndërkohë që më herët ky problem është ngritur disa herë edhe nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili ka theksuar se megjithëse ka raste të dënuarish, konflikti civil për qytetarët mbetet pa zgjidhje për një kohë të gjatë.
Top Channel