Gjyqi Beqaj-Basha, ministri nuk paraqitet; seanca shtyhet në shkurt

28/01/2016 14:20

Edhe pse ka depozituar në gjykatë një padi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike për shpifje, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk është paraqitur këtë të enjte në gjyq dhe nuk është përfaqësuar as nga avokati i tij.

Për këtë arsye gjykata vendosi përsëritjen e thirrjes për paraqitjen e tij në procesin ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilin ai e akuzon për shpifje të kryer botërisht.

Në procesin penal, Basha është nën gjykim për një deklaratë të bërë në nëntor 2015, në të cilën akuzonte ministrin e Shëndetësisë për afera me tenderat në vlerën e 31 milionë eurove.

“Në kushtet kur ministri nuk ka ardhur duhet të përsërisim ftesën”, deklaroi gjyqtari Lazer Sallaku. “Ne kërkojmë pushimin e çështjes duke qenë se palët nuk kanë ardhur”, reagoi Spiro Perdoda, avokat i Bashës.

Gjykata vendosi t’i lërë kohë palës paditëse që të njoftohet dhe të caktojë datën 8 shkurt si seancën e radhës.

Top Channel