Partia Demokratike Shqiptare pret që në zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit të dalë fituese në bllokun politik shqiptar në Maqedoni.
Kryetari i shtabit zgjedhor të PDSH, Azem Sadiku është optimist se ky subjekt opozitar do të marrë më tepër mbështetje tek elektorati shqiptar sesa partia në pushtet BDI.
“Jemi të përgatitur tërësisht që të dalim në zgjedhje dhe ta mundim rivalin tonë, Bashkimin Demokratik për Integrim, pasi gjatë bisedimeve kemi marrë garanci të forta nga ndërkombëtarët, sidomos nga komisioneri për Zgjerim, zoti Hahn, se zgjedhjet do të jenë të pranueshme vetëm atëherë nëse ato do të jenë korrekte dhe demokratike”, ka deklaruar Sadiku.
PDSH-ja shpalosi edhe arsyet pse ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.
“Dalim në këto zgjedhje për shkak se nuk duam të biem në kurthin e atyre që preferojnë bojkotimin e zgjedhjeve, sepse në të njëjtën kohë ata kanë krijuar me dhjetëra parti të vogla të ashtuquajtura shqiptare, që do të jenë të gatshme që t’i zgjedhin nëqoftëse ne do të shkonim drejt bojkotit të zgjedhjeve”, ka thënë Sadiku.
Këto komente shefi i shtabit zgjedhor të PDSH-së i bëri menjëherë pasi u zgjodh në këtë detyrë nga kryesia qendrore e partisë.
Top Channel