Bashkia e Korçës dhe Universiteti i këtij qyteti kanë hyrë në një konflikt që lidhet me një ndërtesë që është pronë e institucionit arsimor.
Këshilli Bashkiak votoi për kthimin e kësaj ndërtese si seli të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, që do të përfshijë Korçën, Elbasanin dhe Beratin.
Por rektori i universitetit Fan Noli thotë se, ndërtesa është pronë e universitetit dhe se ky institucion arsimor dëmtohet rëndë përsa i përket akreditimit.
“Universiteti patjetër që ka nevojë për ambjente shtesë për përmbushjen e standardeve të akreditimit, por këto ambjente nuk mund të realizohen në kabina të përhapura gjithandej nëpër qytet, por të përmbledhura në dy kampuset universitare që ekzistojnë si të tilla. Pra, besoj se do të ketë një vizion të përbashkët të bashkisë dhe universitetit”, deklaroi kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Ish-ndërtesa për ushtarakët, tani është ambjent për 700 studentë dhe universiteti kishte planifikuar një investim prej 52 milionë lekë për të.
“Kjo ndërtesë administrative i shërben shumë universitetit dhe marrja e saj dëmton imazhin e tij, por edhe akreditimin, me gjithë insinuatat që hodhi dje kryetari i bashkisë për këto standarde. Sepse nuk i takonte atij të fliste për to, ne jemi ata që i dimë më mirë ato”, reagoi rektori Gjergji Mero.
Ky konflikt është shoqëruar edhe me akuza politike ndërmjet socialistëve dhe demokratëve në Këshillin Bashkiak.
“Është e turpshme sesi PD kërkon të bëjë politikë me projektin më të bukur që do të sjellë vetëm zhvillim në qytet. Vendimi i djeshëm i Këshillit Bashkiak siguron hapësirat e nevojshme për agjencinë e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, që do të hapet në Korçë, duke i çelur qytetit rrugën e perspektivës së zhvillimit makro-rajonal Korçë-Berat-Elbasan”, deklaroi Larisa Katundi, zëdhënëse e Bashkisë së Korçës.
“Me këtë vendim u cënua rëndë autonomia universitare, mbarëvajtja mësimore dhe integriteti institucional i pedagogëve dhe studentëve”, reagoi pas saj Sorina Koti, këshilltare e PD.
Top Channel