Bulqiza nën akull. Jeta e vështirë e më të varfëve të qytetit të minatorëve

22/01/2016 13:40

Bulqiza është një nga zonat ku dimri është shumë i ashpër. Për shkak të pozicionit gjeografik, aty temperaturat janë gjithmonë shumë më të ulta dhe akulli mbulon gjithçka.

Dimri i këtij viti ka vënë në vështirësi pothuajse mbijetese familjet e varfra në këtë qytet minatorësh. Ata janë kryesisht të moshuar ose persona të paaftë për punë për shkak të gjymtimeve që kanë pësuar gjatë punës në minierë.

Në lagjen “Gjeologu” të këtij qyteti jetojnë të vetëm dy të moshuar, Hysen dhe Nexhmie Balla. Të papunë, me një ndihmë sociale prej 2 700 lekësh në muaj, ata nuk mund të sigurojnë dot as ushqim, as veshje dhe as ngrohje. Në banesën e tyre akulli ka nisur të shfaqet edhe brenda mureve.

“Kushtet janë shumë keq. Nuk kemi bukë dhe nuk kemi dru. Ndihma ekonomike nuk na del as për kafe e duhan“, thotë Hyseni.

Puna e vetme që mund të bëjnë është mbledhja e copave të mineralit në grumbujt e gurëve, fare pranë banesave. Por në këto ditë dimri puna atje është e pamundur. Ky çift mbijeton pothuajse falë solidaritetit të të afërmve.

“Edhe pak miell na ka mbetur. Do i jemi mirënjohës kujtdo që mund të na ndihmojë“, thotë Nexhmia.

Ndërkohë, i ftohti me temperatura deri në minus 15 gradë ka mbuluar gjithë zonën, duke krijuar vështirësi në rruget e qytetit, por edhe në akset nacionale që lidhin Bulqizën me Tiranën dhe Peshkopinë. Ndërkohë që e vështirë është situata edhe në zonat rurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA