Odisea gjyqësore e “21 Janarit”, prej 2 vjetësh pret në Gjykatën e Lartë

21/01/2016 14:55

Që prej 21 janarit 2011, drejtësia ka dhënë vetëm dy vendime fajësie për vrasjen e Faik Myrtajt e Ziver Veizit, ndërsa ka lënë ende të pazbardhura dhe pa emër autorësh se kush i vrau Hekuran Dedën e Aleks Nikën.

Po ashtu, pa autorë janë ende edhe plagosjet e shtatë demonstruesve. Çështja që pati nën hetim drejtuesin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe oficerin e njësisë speciale Agim Llupo u lehtësua nga akuzat nga njëra shkallë e gjyqësorit tek tjetra.

Në shkallën e parë ish-komandanti i gardës dhe vartësi i tij, ky i fundit në burg e tjetri në arrest shtëpie, u gjykuan për vrasje me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave.

Kjo akuzë ra dhe të dy të pandehurit morën pafajësinë, ndërsa prokurori kërkoi dënimin me 23 vjet burg për Prendin dhe 25 për Llupon.

Majde, për ish-komandantin Gjykata e Tiranës kritikoi prokurorinë se mungonin hetimet për të vërtetuar rrethanat në të cilat ka qëlluar Ndrea Prendi. Përse duhej të qëllonte, çfarë e ka detyruar gjeneralin, pyet gjykata, që të realizonte qitjen?

Brenda vitit 2013, Gjykata e Apelit rrëzoi për herë të dyte këmbënguljen e prokurorisë, e cila i qëndronte versionit të saj për tre vrasje me dashje.

Gjykata e Apelit i konsideron dy ish-zyrtarët e gardës fajtorë për vrasje nga pakujdesia, duke dënuar Prendin me 1 vit dhe Llupon me 3 vjet burg.

Madje, për Apelin, përdorimi i forcës nga ana e Prendit dhe Llupos  duke qëlluar me armë zjarri në ajër pas paralajmërimeve ishte i bazuar në ligj, por jo proporcional në raport me viktimat, të cilët sipas gjykatës nuk bënin pjesë tek protestuesit agresivë.

Prokuroria i është drejtuar tashmë shkallës së tretë dhe të fundit të gjyqësorit, e cila për më shumë se dy vjet po e mban dosjen “21 Janari” në dhomë këshillimi dhe që nga tetori 2013 ende nuk ka shpallur një datë.

E kontaktuar nga Top Channel, zyra e shtypit e Gjykatës së Lartë shpjegoi se Kolegji Penal ka përfunduar studimin e dosjes dhe brenda shkurtit do dalë me një vendim nëse “21 Janari” do kalojë në seancë gjyqësore, apo do refuzohet rekursi i prokurorisë duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA