OSHEE ka reaguar në lidhje me një artikull të publikuar nga rrjeti investigativ BIRN, ku deklarohej se kompania ka manipuluar të dhënat financiare për vitin 2015-të duke rritur artificialisht shifrat.
Kompania thotë se në artikullin e publikuar nga Reporter, e më pas të cituar edhe nga Partia Demokratike janë ngatërruar arkëtimet me të ardhurat. Kompania sqaron se arkëtimet janë paratë e mbledhura prej klientëve dhe deklarohen pa TVSH-në, ndërsa të ardhurat janë vlera e energjisë së faturuar, e cila në pasqyrat financiare paraqitet pa TVSH.
“Për të dhënë një pasqyrë të plotë të të dhënave të realizuara nga OSHEE sqarojmë se, arkëtimet prej 59.4 Miliardë Lek për 11-mujor të përmendura në artikull, janë absolutisht të sakta dhe janë të deklaruara përfshirë TVSH-në, shifër kjo e bazuar në pagesat e kryera nga klientët e shoqërisë. Këto Arkëtime për vitin 2015 në total rezultuan në vlerën e 65.4 Miliardë Lek nga 49 Miliardë lekë që ishin në vitin 2014, ose 16 Miliardë lek më shumë”, thotë OSHEE.
Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, arkëtimet u rritën në 65,4 miliardë lekë për vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat, ose faturimet rezultojnë në vlerën 54,6 miliardë lekë.
“Nëse këto të ardhura do t’i paraqesim me TVSH, atëherë të ardhurat e realizuara për 2015 rezultojnë në vleren e 63.9 Miliardë Lekëve”, sqaron OSHEE.
OSHEE shton në reagimin e vet duke thënë se shoqëria raporton çdo muaj të dhënat e saj financiare duke i bërë ato publike për çdo palë të interesuar dhe verifikimi i tyre mund të kryhet në çdo moment.
“Këto të dhëna janë shumë lehtë të verifikueshme jo vetëm në regjistrat financiare të shoqërisë, por edhe në Organet Tatimore si dhe ERE, ku ajo deklaron në mënyrë mujore të dhënat për aktivitetin e saj të Shitjes dhe Arkëtimeve”, thuhet në reagim.
“Fal procedurave konkurruese, garës transparente, si dhe uljes së humbjeve, OSHEE ka mundur të kursejë nga blerja e energjisë elektrike plot 60 milionë euro”, mbyll reagimin e vet Operatori i Shpërndarjes.
Top Channel