Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav ka deklaruar se ndërmjetësit ndërkombëtarë në Maqedoni shpesh herë janë të detyruar të rrisin masat e sigurisë për shkak se ndihen të kërcënuar.

Orav tha se edhe shumë media maqedonase po udhëheqin fushata negative kundër diplomatëve të huaj, ndonëse ata janë të angazhuar për ndihmuar Maqedoninë që të gjejë zgjidhje për krizën e thellë politike.

“Ekzistojnë shumë fushata negative kundër atyre që ndërmjetësojnë, kundër komisionerit evropian për Zgjerim, kundër anëtarëve të Parlamentit Evropian, kundër ndërmjetësit në bisedimet për Marrëveshjen e 2 Qershorit, Piter Vanhojt, si dhe kundër anëtarëve të delegacionit të BE-së në Shkup. Ndonjëherë këto fushata mediatike rezultojnë me kërcënime konkrete dhe na bën që në disa raste të jemi të detyruar të rrisim masat për sigurinë tonë”, tha Orav.

Megjithatë, diplomati evropian shtoi se, Brukseli do të vazhdojë ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën e integrimit. Ai kërkoi nga autoritetet e Shkupit të zbatojnë reformat dhe Marrëveshjen e 2 Qershorit për të garantuar zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, zv/kryeministri i Maqedonisë Fatmir Besimi, tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e reformave, por deputeti i PDSH-së opozitare, Orhan Ibrahimi deklaroi se qytetarët nuk i besojnë pushtetit dhe se të shpresat i kanë varur vetëm tek bashkësia ndërkombëtare.

“Këto reforma për të cilat ne flasim në emër të integrimit në BE, në radhë të parë janë kërkesë dhe interes i qytetarëve tanë për të instaluar standarde më të larta demokratike dhe për të siguruar mirëqenie dhe paqe”, tha Besimi.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë gjithë kohës shmang përgjegjësinë dhe mundohet të luajw rolin e të pafajshmit, por në fakt luan rolin e budallait sepse nuk ka qytetar shqiptar që i beson më”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë, thirrje për përmbushjen e reformave dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së 2 Qershorit ka bërë edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup. Përmes një komunikate me shkrim, selia diplomatike e Uashingtonit ka kërkuar nga institucionet maqedonase që të angazhohen maksimalisht për të garantuar zgjedhje të lira. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA