Nuk është zakon i kësaj rubrike të kërkojë sensacionin, të krikojë panik, e as të japë alarmin, nëse informacinet që përcjell nuk janë plotësisht të justifikuara.
Megjithatë këtë herë, – thotë gazetari Antonio Ferrari për “Corriere della Sera”, – është e nevojshme të flitet për një situatë kanosëse, që po shpërfaqet në një vend ballkanik, fqinjin tonë Shqipëri.
Është folur shumë për vendin e vogël, fillimisht për rrëzimin e komunizmit, pastaj skemat piramidale e kaosin që shkaktuan, më vonë për luftën e Kosovës. Megjithatë, tani Tirana rikthehet në vëmendje për një tjetër pretendim tepër të rrezikshëm: Shqipëria po kthehet, madje më mirë të themi është kthyer, në zyrën ndërlidhëse të xhihadistëve në Europë.
Janë gati 1.000, personat që kanë pranuar të vihen në shërbim të xhelatëve të të vetëshpallurit kalifat islamik në Siri e Irak, por mbi të gjitha në frontin e ri të vrasësve islamikë, Libinë.
Do pyesni, cila është risia e madhe që ka vënë në alarm NATO-n, Rusinë, BE-në dhe vet Italinë?
Nuk është vetëm numri i rekrutëve të vdekjes, që i shtohet atyre të Kosovës dhe vendeve të tjera ballkanike. Është fakti që – ashtu siç pohojnë burime të shërbimeve tona sekrete, – rekrutuesit e ISIS-it po kërkojnë të tërheqin të rinj, duke ofruar nga 2.000 euro në muaj për kontrata me kohë të përcaktuar.
Klauzolat më të rëndësishme të angazhimit janë dy: guximi dhe njohja shumë e mirë e gjuhës italiane. Pikërisht kjo e fundit përbën shqetësim të madh për gazetarin. Ajo mund të përmbushet me shumë lehtësi, sepse shumica e popullsisë shqiptare – kujton ai, – e njeh italishten, një pjesë e flet mirë, ndjek edicionet informative, dëgjon festivalin e Sanremos me një pasion edhe më të madh se ai i telespektatorëve tanë dhe, sa herë mundet, kapërcen Adriatikun për të vizituar qytetet tona.
Ekzistojnë baza të rëndësishme tranziti në Ancona e Brescia – vazhdon ai, – dhe këtu gjendemi përballë arsyes së alarmit dhe frikës së shtuar nga rekrutimet e ISIS-it. Ka njerëz në vendin fqinj, që druhen se Shqipëria mund të kthehet për Italianë në një lloj strofke të Shtetit Islamik në Europë, tamam ashtu siç ishte Belgjika për terroristët që goditën egërsisht Parisin, 13 nëntorin e kaluar.
Rreziku mund të jetë ndoshta edhe më serioz, nga sa na pohohet në mirëbesim; në disa zona të Shqipërisë lulëzon një tregti e paligjshme armësh, të cilat mund të bien fare lehtë në duart e atyre që paguajnë, qoftë ISIS, qoftë formacione të tjera xhihadiste, qoftë krimi i organizuar.
Një mitraloz thuhet të shitet rreth 600 euro. Pasi kujton sesi në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës vendi ishte krejtësisht laik, çfarë ndryshoi pas rrëzimit të regjimit komunist, gazetari përmend vërshimin e fondacioneve të pasura saudite, atyre nga Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që financuan ndërtimin e një rrjeti xhamish, duke propaganduar linjën më të ashpër të Kuranit.
Por ishte e vështirë – thotë ai, – të ndotej deri në kontaminim total një popull inteligjent, që vazhdon të besojë në bashkëjetesën paqësore mes të gjithëve.
Top Channel