Nisja e reshjeve të dëborës gjatë mbasdites së sotme në rrethin e Bulqizës është shoqëruar me erëra të forta dhe ulje drastike temperaturash, që kanë arritur deri në minus 10 gradë Celsius.
Përveç dëborës, ulja e temperaturave ka krijuar edhe akull në disa segmente të rrugës nacionale dhe atyre ruale të Bulqizës, sidomos në vendin e quajtur Pishat dhe Gurët e Skëndërbeut, ku reshjet e borës, shoqëruar me erëra të forta, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Kështu, në akset Bulqizë-Peshkopi, Bulqizë-Krastë dhe Ura e Çerenecit-Librazhd është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve pasi janë të mbuluar me dëborë.
Sa u takon rrugëve rurale, probleme janë konstatuar në segmentin që lidh Urën e Çerenecit me Ostrenin e Madh e atë të Vogël. Situatë e vështirë si pasojë e ngricave paraqitet edhe në pjesën që nga Qafa e Buallit të çon tek minierat e Zonës D, që edhe pa reshje është terren i vështirë.
Postoblloqet e policisë që janë në detyrë nuk kanë lejuar kalimin e asnjë automjeti pa zinxhirë, pasi gjasat për aksidente janë më të lartë se kurrë, ndërkohë që borëpastrueset kanë punuar në aksin Bulqizë-Peshkopi.
Ndërkohë, në fshatrat Trebisht, Ostren, Zerqan, Martanesh, si dhe në njësitë administrative të Shupenzës dhe Fushë Bulqizës trashësia e dëborës ka arritur në rreth 50 centimetra. Ndërsa në qytetin e Bulqizës ajo ka arritur në 20.
Top Channel