Vizat, Kosova dorëzon raportin e fundit për 8 kriteret

15/01/2016 00:00

Gjatë ditës së premte, ministri i Integrimit Europian të Kosovës, Bekim Çollaku i ka dërguar Komisionit Europian projektraportin e fundit për plotësimin e 8 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit Çollaku, tha për Top Channel se, tanimë Kosova i ka plotësuar edhe kërkesat e fundit, ndaj dhe pret shumë shpejt rekomandimin për liberalizimin e vizave.

“Raporti përmban të gjitha arritjet dhe masat që janë ndërmarrë gjatë kësaj kohe, në adresimin e këtyre 8 rekomandimeve. Ne jemi të kënaqur, që gjatë kësaj kohe kemi arritur të shënojmë progres në të gjitha këto 8 rekomandime. Gjithashtu, në bazë të komunikimeve që kemi pasur me Komisionin Europian ditët e fundit, duket se edhe ata janë të inkurajuar me progresin që kemi arritur”, tha Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Integrimit Europian.

Rexhepi tha se, në ditët e ardhshme do të konfirmohet vizita e Komisionerit europian, Dimitris Avramopoulos, i cili në fund të janarit ose në fillim të shkurtit pritet të qëndrojë në Prishtinë.

Sipas Rexhepit, gjatë vizitës në Kosovë, Komisioneri europian do të konfirmojë përmbushjen e të gjitha kritereve dhe pas asaj vizite do të rekomandojë heqjen e vizave për kosovarët.

“Në pjesën e dytë të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në shtetet anëtare të zonës ‘Schengen’. Ky besim i yni po forcohet çdo ditë, jo vetëm me progresin që po arrijmë në vend sa i përket adresimit të të gjitha kritereve, por edhe në bazë të komunikimit dhe shkëmbimit që kemi me Komisionin Europian dhe shtetet anëtare. Ekziston një mbështetje e fuqishme edhe te shtetet anëtare, edhe te Parlamenti Europian, që në momentin kur Komisioni Europian të bëjë rekomandimin, atëherë edhe ky propozim të kalojë”, tha Fisnik Rexhepi.

Rexhepi tha se, edhe pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë adresimin e të gjitha kritereve nga Komisioni Europian, pasi – sipas tij, – ato vetëm e forcojnë shtetin ligjor.

Top Channel