Kur ka kaluar më shumë se një javë nga përmbytjet e shkaktuara nga vërshimi i Lumit Erzen mbi banesa dhe biznese, banorët e Shijakut, Sukthit e Katundit të Ri vazhdojnë të përballen me pasojat e shumta dhe largimin nga shtëpitë të pajisjeve të dëmtuara.
Nga verifikimet e bëra në terren, 551 shtëpi, të cilat qëndrojnë në pritje të dëmshpërblimeve nga qeveria, rezultojnë të përmbytura në Shijak e Durrës. Ndërkohë, mbi 110 mijë euro ndihma në ushqime dhe batanije nga shteti i Katarit kanë nisur të shpërndahen për të prekurit nga përmbytjet në Bashkitë e Durrësit dhe Shijakut. Ndihmat janë marrë në dorëzim nga pushteti vendor dhe në prani të ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, kryetarëve të bashkive respektive, ambasadorit të Katarit në vendin tonë dhe deputetes së Durrësit, janë shpërndarë për familjet e përmbytura.
Ambasadori i Katarit në vendin tonë u shpreh se këto nuk janë ndihmat e para për banorët në nevojë të qytetit të Durrësit dhe se mbështetja do të jetë në vazhdimësi.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, duke falenderuar për këtë ndihmë thotë se përmbytjet kanë dëmtuar 220 shtëpi në Katund të Ri dhe 170 të tjera në njësinë administrative të Sukthit.
Ndërkaq, për kryetarin e Bashkisë Shijak, ku janë evidentuar 161 shtëpi të dëmtuara, puna në terren vazhdon me intensitet.
Përveç ndihmave në ushqime dhe batanije, familjet e përmbytura dhe veccanërisht familjet më të varfra kanë nevojë dhe për dyshekë, shtretër e gjithccka tjetër që do t’u vinte në ndihmë për të zëvendësuar gjithçka të humbur nga vërshimi i ujit.
Top Channel