Mbyllet afati, shorti i lotarisë fiskale, të premten në Top Channel

13/01/2016 19:35

Ministria e Financave ka mbyllur afatin e vënë në dispozicion të qytetarëve për të marrë pjesë në lotarinë e parë fiskale në vend.

Shpallja e çmimeve, bashkë me hedhjen e shortit dhe përzgjedhjen e fituesve në mënyrë elektronike, do të bëhet në datën 15 janar, në orën 20.45 në Top Channel.

Më shumë se 28 mijë qytetarë kanë depozituar përmes postës, kuponët tatimorë të tërhequr gjatë muajve nëntor-dhjetor 2015.

Lotaria do të ketë mbi 500 çmime fituese nga 10.000 në 1.000.000 lekë të ndara në 4 kategori fituesish. Në kategorinë e parë do të ketë 1 fitues me 1.000.000 Lekë, ndërsa në kategorinë e dytë, 10 fitues me 100.000 lekë.

Formula e përzgjedhjes për këto kategori janë pikët e marra nga ponderimi 70 përqind i vlerës nominale të kuponëve me 30 përqind të numrit total të kuponëve të postuar. Pra, sa më i lartë të jetë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë është mundësi për të fituar. Nëse pas vlerësimeve rezultojnë më shumë fitues sesa është përcaktuar, përzgjedhja bëhet përmes aplikacionit elektronik.

Ndërsa, për kategoritë e treta dhe të katërta, fituesit përzgjidhen elektronikisht pasi ata të kenë dërguar minimumi 50 kuponë me vlerë jo më pak se 5.000 lekë. Për kategorinë e tretë do të ketë 200 fitues me 15.000 lekë, ndërsa për të katërtën 300 fitues me 10.000 lekë.

Në rastin kur fituesi i përzjedhur dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet.

Lotaria e parë fiskale në vend është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese të Drejtorisë së Tatimeve në edukimin e konsumatorëve për tërheqjen e kuponit tatimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA