Fier, balta izolon banorët e lagjes “Liri”

12/01/2016 10:45

Banorët e lagjes “Liri” në Fier, prej disa ditësh janë thuajse të izoluar si pasojë e dëmtimit serioz të rrugëve të brendshme. Hapja e një kanali për shtrimin e linjes 20 kilovolt ka bërë që lëvizja e banorëve në këtë lagje të paralizohet.

Automjetet në disa raste kanë ngecur në baltën e madhe, ndërsa këmbësorët, sidomos pleqtë dhe fëmijët, e kanë të pamundur të kalojnë.

Ky segment rrugor shërben për lëvizjen e rreth 300 familjeve dhe prej 25 vitesh është në gjendje të mjeruar. Për herë të fundit është shtruar në vitin 1974.

Rruga “Ismet Dertliu” ka një gjatësi prej 800 metrash dhe ndodhet vetëm 30 metra larg pedonales dhe pallateve shumëngjyrëshe në bulevardin kryesor.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka deklaruar se rikonstruksioni i këtij segmenti është futur në projektet që ky institucion ka gjatë vitit 2016.

“Ky është viti i parë buxhetor që ne kemi planifikuar investime konkrete, me një buxhet konkret dhe kjo është një nga rrugët që ne kemi projektuar për t’u bërë gjatë këtij viti”, ka thënë Subashi.

Dy vjet më parë, banorët e kësaj lagjeje, ndër më të vjetrat të qytetit të Fierit, shtruan vetë me rërë bituminoze pjesët më të dëmtuara të rrugës. Sot, ata shpresojnë në mbështetjen e bashkisë, në rast të kundërt do të protestojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA