Bashkia e Tiranës, 100 projekte në konferencën e donatorëve, më 20 janar

12/01/2016 11:20

Bashkia e Tiranës do të prezantojë 100 projekte për kryeqytetin, në një konference me donatorë që do të zhvillohet në datën 20 janar.

Kreu i bashkisë, Erion Veliaj thotë se, këto projekte variojnë nga infrastruktura, te turizmi, e deri te shërbimet për qytetarët.

“Njëri nga projektet do të jetë terminali multimodal i transportit. E kemi reduktuar vlerën e projektit, e kemi zhveshur nga interesat e pallateve apo qendrave komerciale, duke e trajtuar si një terminal jashtëzakonisht të nevojshëm për qytetin e Tiranës, ku do të ftojmë partnerë nga komuniteti privat, që të bëhen palë me bashkinë për të realizuar këtë investim”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai i qendrës së kontrollit të trafikut urban.

“Kemi një qendër të kontrollit të trafikut urban me përmasa modeste, të cilën duam ta zgjerojmë, duke shtuar rreth 11 kamera më shumë në kryqëzimet më problematike, për shkak se nuk i mbulojmë dot me përllogaritje, si dhe për të lehtësuar trafikun”, shtoi më tej Erion Veliaj.

Projekte të tjera janë krijimi i një platforme online për taksat dhe detyrimet e tjera të bashkisë, për të shmangur orë të tëra pritjesh në radhë, si dhe çelja e inkubatorëve për sipërmarrjet e teknologjisë së informacionit.

Projektet që do të prezantohen në konferencën “Tirana Smart City 2016-2026”, në bashkëpunim me PNUD-in, kanë një fokus 10-vjeçar, ndërsa në listën e donatorëve përfshihen ambasadat, agjencitë e zhvillimit që punojnë në Tiranë dhe komuniteti bankar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA