‘Po prisja telefonatë nga kolegu’, Shqiptari kapet me kufje të fshehta gjatë provimit të patentës në Belgjikë, përfundon në gjykatë Pas arrestimit të Ilir Memushajt në Vlorë, policia është vënë në ndjekje të 3 personave, të dyshuar si autorë të vrasjes në segmentin rrugor Lushnje-Fier, ku humbi jetën Denis Kasaj dhe u plagosën dy të tjerë.
Policia tha se ka prova të mjaftueshme, që i arrestuari është bashkëpunëtor në këtë vrasje dhe është personi kyç për zbardhjen e mëtejshme të tij.
Në atentat kanë marrë pjesë 4 persona, një fakt ky që dëshmohet edhe nga vet të plagosurit. Por të dy i kanë shërbyer pak policisë me dëshmitë e tyre, pasi deklarojnë se nuk i njohën autorët. Ata kanë arritur të dallojnë vetëm lëvizjet e atentatorëve, por nuk japin identitetet e tyre.
Ndërsa i arrestuari, edhe pse nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, lëvizjet e tij në dy ditët e fundit do ta dërgojnë policinë drejt arrestimit të 3 personave të tjerë, që morën pjesë në vrasje.
Hetimet lidhen me një vrasje të kryer 15 vite më parë. Ky është motivi kryesor, me të cilin po lëvizin hetuesit e kësaj çështjeje. Por poilicia, në 24 orët e fundit duket se ka bërë një kthesë të fortë, për t’iu afruar arrestimeve edhe për vrasjet e tjera të kryera në Lezhë, Durrës dhe Vlorë, vrasje këto që krijuan një seri, që goditi opinionin në javën e parë të 2016-s.
Policia e Tiranës është duke ngushtuar ndjeshëm rrethin e të dyshuarve për vrasjen e Gazmend Çollakut. Pasi ka shoqëruar në mesjavë më shumë se 30 persona, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje, policia shprehet se është çështje kohe edhe arrestimi i të dyshuarit si vrasës.
Lidhja e kësaj vrasjeje vazhdon të mbetet ajo e eliminimit të anëtarëve të rrjeteve të narkotrafikut në Shqipëri. E tillë është edhe historia e një 36-vjeçari të vrarë në Vlorë. Andrea Billa mendohet që në vitet e fundit ka qenë skafisti kryesor i një rrjeti narkotrafiku, që lidhte Marokun me Spanjën.
Policia është e bindur se konflikti ka ndodhur i gjithi në Spanjë dhe është transportuar në Vlorë. Autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje, ata që dyshohen si të implikuar në rrjet, mund të kenë paguar dikë për eliminimin e skafistit, pasi ky i fundit humbi një ngarkesë pak ditë para Vitit të Ri.
Ndërsa në Lezhë, ish-punonjësi i Policisë i ekzekutuar mbrëmjen e 2 janarit, mendohet se është tërësisht një vrasje për hakmarrje, por familja në konflikt me të ka alibi për natën në të cilën ndodhi ngjarja.
Top Channel