Dëme të konsiderueshme nga përmbytjet ka pësuar edhe Bashkia e Peqinit. Dy ura të shembura mbi lumin Shkumbin kanë izoluar fshatrat Gryksh i Madh, Shezë, Trash dhe Petisht.
Janë rreth 6 mijë banorë të izoluar, rreth 3 mijë prej të cilëve janë në fshatin Gryksh i Madh. Ata janë mbledhur pranë urës së shembur për të kërkuar ndërhyrje urgjente për ta bërë këtë urë të kalueshme, qoftë edhe për këmbësorët.
Administratori i njësisë administrative të Pajovës, Luan Haka tha se Bashkia e Peqinit ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet e saj për të përballuar emergjencat, por e ka të pamundur të ndërhyjë për riparimin e këtyre urave të shembura.
“Këtu, përmbytjet më të mëdha janë në Grykshin e Madh, ku 3 mijë banorë janë të izoluar prej 3 ditësh pasi ura që lidh Belshin me Shezën është dëmtuar duke u bërë e pakalueshme. Ne kërkojmë ndihmë nga qeveria në mënyrë që banorët të shpëtojnë nga izolimi”, ka thënë Haka.
Prurjet e shumta të lumit Shkumbin përmbytën edhe disa shtëpi në njësinë administrative Shezë, ku 10 familje janë evakuuar duke u strehuar tek të afërmit.
Top Channel