Gotze te Liverpul? Sulmuesi “i lë topin” Ancelotti-t

09/01/2016 12:15

Mario Gotze dhe Jurgen Klopp e mbajnë konstant vlerësimin e tyre të lartë reciprok pavarësisht se tashmë sulmuesi dhe trajneri janë në rrugë të ndryshme në karrierë.

Por kontaktet e këtij dimri mund të sjellin një transfertë të bujshme të futbollistit të kombëtares gjermane, në skuadrën që drejton aktualisht Klopp, me Liverpulin në nevojë të një lojtari me karakteristika të tilla.

Mario Gotze zbuloi se do të konsiderojë të ardhmen e tij te Bajern, vetëm pasi të mësojë planet e trajnerit të ri Carlo Ancelotti mbi të ardhmen e tij.

23-vjeçari nuk i ka mohuar kontaktet me ekipin e “Anfild Road” dhe me Jurgen Klopp, nën drejtimin e të cilit shkëlqeu kur luante te Borusia e Dortmundit.

Gotze dhe trajneri fituan dy tituj kampionë në Bundesliga, një kupë Gjermanie dhe shkuan në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve. Largimin e sulmuesit nga Dortmundi asokohe, Klopp e quajti si një goditje në zemër.

“Unë kam një kontratë deri në 2017 me Bajernin, por ajo çfarë mendon trajneri i ri për mua do të vendosë shumë. Gjatë kohës së dëmtimit nuk kam menduar shumë për të ardhmen, por gjithçka është në ajër. Varet nga klubi dhe trajneri Ancelotti”, tha Gotze.

Top Channel