Edhe nga FIFA, Ronaldo shpallet “Lojtari i Vitit”

09/01/2016 00:00

Pas Topit të Artë, Cristiano Ronaldo siguron një tjetër trofe të rëndësishëm, që përmbyll  një sezon të jashtëzakonshëm për të.

Futbollisti portugez u shpall “Lojtari i Vitit” nga FIFA në ceremoninë e organizuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Zyrih.

31-vjeçari mposhti në garën për këtë trofe rivalin e zakonshëm Lionel Messi dhe francezin Antoine Griezman.

Trofeu i “Lojtarit të Vitit” i bashkohet “Topit të Artë” të tërhequr në dhjetor nga Cristiano Ronaldo, që në vitin e kaluar ndihmoi Realin e Madridit në ngritjen e trofeut të Ligës së Kampioneve dhe më pas edhe Portugalinë e tij në fitimin e Europianit.

FIFA përcaktoi edhe futbollisten më të mirë, çmim që i shkoi amerikanes Carli Lloyd që la pas brazilianen Marta dhe gjermanen Behringer.

Çmimin e trajnerit më të mirë e fitoi, Claudio Ranieri për arritjen historike me Leicester që u shpall kampion i Premier Leagues në Angli, ndërsa si trajnerja më e mirë në futbollin e femrave u cilësua Silvia Naid e përfaqësueses gjermane.

Në ceremoninë e ‘FIFA the Best’ u përcaktua edhe formacioni i vitit pas votave të vetë futbollistëve, ku dominues ishin Reali i Madridit dhe Barcelona që u përfaqësuan respektivisht me nga 5 dhe 4 futbollistë.

Një çmim i veçantë u dha edhe për tifozerinë, i fituar nga ajo e Liverpulit dhe Borusia Dortmund, ndërkohë që çmimin “Puskas” për golin më të bukur të vitit e fitoi Subri nga Malajzia.

Top Channel