Dëme të mëdha nga përmbytjet, banorët e fshatrave të Durrësit kërkojnë ndihmë

09/01/2016 19:55

Banorët e zonave të përmbytura në Durrës kanë kaluar një tjetër natë të vështirë. Disa kanë nisur të pastrojnë shtëpitë e bizneset nga balta, ndërsa të tjerë nuk dinë nga t’ia fillojnë.

Gjithçka u është lagur e dëmtuar nga uji dhe balta, duke i kthyer dhe veshjet e dyshekët në të papërdorshme. “S’ka as dyshek, as jorgan, as lavatriçe apo frigorifer. Veshje nuk kemi fare”, thotë një banor.

Të përmbyturit ankohen se askush nuk ka shkuar për t’u verifikuar dëmet dhe as për t’u dhënë ndihmë konkrete, ndaj shpresën e shohin tek media për të pasqyruar dëmet që kanë pësuar.

Të paduruar dhe ende të tronditur nga vërshimi i Erzenit, që këtë herë duket se u ka përmbysur mundin e një jete të tërë, ata kërkojnë ndihmë nga shteti.

Banorët janë të pakënaqur nga pakot ushqimore me miell, oriz e makarona, pasi nuk kanë ku t’i gatuajnë. Pajisjet elektroshtëpiake u kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa në një pjesë të shtëpive ende nuk është kthyer energjia elektrike dhe mungon edhe uji.

Ardhja dhe ndërhyrja e zjarrfikëseve për të nxjerrë ujin e llumrat nga banesat sjell shpresë në Katund Sukth. Në Shën Apremte të Sukthit, banorët po punojnë vetë për të pastruar banesët nga balta.

Në këtë shtëpi, burrë e grua e kanë kaluar natën të mbuluar me një batanije teke që u kanë dhënë si ndihmë, por ndihma e vetme që i kërkojnë shtetit është të zhbllokojë kanalet nga ndërtimet mbi to për t’i dhënë rrugë ujit.

“Therrtore e klube janë ndërtuar sipër kanaleve kolektore. Normale është kjo? Vjen përmbytja, bie shtrati i lumit, ikën uji. Por ne rrimë të përmbytur”, thotë një banor.

Pas përmbytjeve, në Katund të Ri mjetet e rënda po punojnë për heqjen e dherave dhe inerteve, pas hapjes së pjesshme të kanaleve. Edhe këtu, uji ka shkaktuar shumë dëme.

Pas ’90-s shumë kanale në zonën e Sukthit dhe Katundit të Ri janë zaptuar nga babëzia e fitimit të sipërfaqeve të reja dhe ndërtimit mbi to, duke u kthyer në një bumerang për jetën e të gjithë banorëve që e kanë ndërtuar jetën e tyre pranë lumit Erzen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA