Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian javën e ardhshme do të inspektojnë zbatimin e deritanishëm të marrëveshjes politike që u arrit verën e kaluar për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
Të hënën Shkupin pritet ta vizitojnë euro-deputetët Riçard Houit, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl, të cilët do të informohen nga drejtuesit e katër partive kryesore për zbatimin e Marrëveshjes së 2 qershorit, por njëkohësisht do të kërkojnë që të arrihet sa më parë kompromis për reformat në media dhe për mënyrën e pastrimit të listës zgjedhore.
Në kuadër të kësaj vizite, deputetët evropianë do takojnë edhe përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe prokuroren speciale Katica Janeva.
Pas tyre, Shkupin do ta vizitojë edhe komisioneri evropian për Zgjerim, Johaness Hahn, cili pritet të vijë në kryeqytetin e Maqedonisë më 15 janar, ditën që duhet të zgjidhet qeveria e re kalimtare.
Përveç porosive për zbatimin e plotë të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike dhe organizimin e zgjedhjeve demokratike, komisioneri Hahn po ashtu do të inspektojë nëse është shënuar përparim në përmbushjen e reformave të cilat Brukseli i kërkoi nga Shkupi muaj më parë e që kanë të bëjnë me depolitizimin e institucioneve dhe lirinë e mediave.
Top Channel