Përvjetori i “RD”, Basha: Media e lirë dhe opozita, në të njëjtën varkë

05/01/2016 19:15

25-vjetori i themelimit të “Rilindjes Demokratike”, si gazeta e parë opozitare në vend, ka ofruar që në fillim një pamje që nuk është e zakonshme në Partinë Demokratike këto dy vjet.

Lulzim Basha dhe Jozefina Topalli u treguan miqësorë, ndërsa hynë, rastësisht, së bashku në festë. Një event në të cilin Sali Berisha dhe Lulzim Basha treguan një rrezik të ri për fjalën e lirë.

“Ka një përbindësh që përdor të gjithë fuqinë e Ekzekutivit për të manipuluar, për të mposhtur, për të heshtur mediat dhe fjalën e lirë. Ka një përbindësh që ka krijuar tregun më të zi të të gjitha tregjeve, tregun e fjalës së lirë dhe ky përbindësh është Edi Rama”, tha Berisha.

“E gjitha kjo është prodhim i një njeriu që e etiketon median e lirë si një kënetë mediatike, ndërkohë që shpenzon miliona dollarë për median e tij paralele, për të krijuar realitetin e tij paralel dhe virtual. Miliona dollarë taksapaguesve të varfër për të krijuar zyrë propagande dhe për të punësuar në konsulenca korruptive lobistë, që kanë për qëllim varrosjen e të vërtetave të tmerrshme të keqqeverisjes”, u shpreh kreu i PD.

Lulzim Basha, gjatë gjithë fjalimit të tij, nderoi punën e medias për të thënë të vërtetën dhe shprehu besimin se do të jetë në lartësinë e misionit të vet për të denoncuar bashkë me opozitën çdo akt korruptiv dhe të padrejtë të qeverisë.

“Ne kemi një qeveri të korruptuar, të inkriminuar dhe të mbrapsht, por kemi një komunitet gazetarësh profesionistë, të ndershëm dhe kurajozë që as mashtrohen, as joshen dhe as blihen, as tremben dhe as frikësohen dhe që janë spartanët e demokracisë tonë të re. Ata kanë një qëndrim, një besim dhe një fe, të vërtetën”, tha Lulzim Basha.  
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA