Sipas Ministrisë së Brendshme, akset rrugore kryesore në vend nuk janë të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në rajonet verilindore dhe juglindore.
Të bllokuar kanë mbetur vetëm akset Bardhoc – Iballë, dhe Bogë -Theth, i bllokuar në vendin e quajtur Qafë Thore ku ka rreth 70 cm dëborë, si edhe në aksin Bardhet -Iballë.
Ministria bën të ditur se nuk janë raportuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, energji elektrike apo probleme të emergjencave mjekësore.
Në Kukës, mjetet borëpastruese po punojnë për të mbajtur hapur akset Kalimash – Morinë; Kukës – Ura e Zapodit; Krumë – Qafë Prush – Kam -B.Curri – Valbonë, ku vërehet prezencë e ngricave.
Në Korçë, përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të aksit rrugor Korçë – Dardhë. Në Shkodër, rrugët në Pukë, Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të kalueshme. Në aksin Qafë Mali – Fierzë dhe Pukë – Fushë Arrëz, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Në Dibër, temperaturat e ulëta këtë të hënë janë pasuar nga një mot me vranësira dhe reshje lokale shiu. Kujdes duhet treguar në akset nacionale Kala e Dodës – Peshkopi, si edhe në aksin rural rrugor Selishtë – Muhurr.
Firmat që mirëmbajnë rrugët kanë nisur hedhjen e skorjes dhe pastrimin e akseve të tjera.
Top Channel