Partia Demokratike, me anë të një deklarate të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, njoftoi se “do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili nga nguti për të mbyllur menjëherë aferat e tij prej mijëra eurosh ka miratuar vendime jo vetëm në dëm të qytetarëve të Tiranës, por edhe në shkelje të ligjit”.
“Pavarësisht se një hajdut me eksperiencë dhe gjakftohtë, nxitimi për të vjedhur dhe natën e Vitit të Ri ka bërë që aktet e datës 30 dhjetor të jenë absolutisht të pavlefshme. Vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. Për të njejtën arsye, fakti që bazohen në një akt që ende nuk ka fuqi është i pavlefshëm dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë”, deklaroi Topollaj.
“Partia Demokratike është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës ligjore dhe qytetare për këto afera të pastra korruptive të ndërmarra nga Veliaj, të cilat do të përkeqësonin dhe më tej jetën e qytetarëve”, shtoi Topollaj.
Pas deklaratës së këshillitarit të djathtë Fabian Topallaj, reagoi Bashkia e Tiranës, e cila thotë se “këshilltarët bashkiakë të Tiranës miratuan me një shumicë të cilësuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për vitin 2016”.
“Ky është buxheti më i madh që Bashkia e Tiranës ka pasur në dispozicion në historinë e saj. Nëpërmjet këtij buxheti, gjatë 2016-ës, do të fillojnë të jetësohen zgjidhjet e problemeve madhore, nën të cilat qyteti ka lënguar në 4 vitet e fundit. Pas dy javë negociatash, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për të mos e rritur çmimin e biletës së autobusëve urbanë, por vetëm për ta indeksuar atë, me normën e inflacionit të 8 viteve, si një masë e detyrueshme ligjore për të dalë nga situata e rënduar që trashëguam në muajin gusht”, lexohet në komunikatën e Bashkisë së Tiranës.
Në vijim të reagimit theksohet se “fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe iu fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin. Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Holanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtjeje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s’pati kurrë guximin t’i ndërmarrë ato”, shtoi bashkia.
Top Channel