Që prej 29 dhjetorit 2011, Samoa, që deri atëherë e festonte e fundit ndërrimin e viteve, tani është e para në hartën e kremtimeve për arsyen e thjeshtë se banorët e saj vendosën ta kalonin në mënyrë virtuale kufirin e datës së Paqësorit, duke e çuar orën 24 orë përpara.
Bashkë me ishullin e Krishtlindjeve, Kiribatin, ajo është e para që priti vitin 2016. Të dytët në listë për trokitjen e Vitit të Ri ishin Ishujt Catham, e pas tyre, si gjithmonë Oklandi në Zelandën e re, i pasuar nga Suva e Willingtoni.
Me mijëra vetë u grumbulluan në rrugët përreth kullës Sy Tower të Oklandit, për spektaklin e fishekzjarreve që këtë radhë i është besuar kompanisë Pyrostar, e cila ka organizuar më parë spektaklet piroteknike të Sidneit. 500 kg fishekzjarre, 1 ton pajisje e 10 kilometra tela ishin llogaritur ta kthenin këtë të sivjetshmin në spektaklin më madhështor të këtij lloji të organizuar ndonjëherë në qytetin më të populluar të Zelandës së Re.
Dy orë pas tyre, dhe pasi ka mbërritur fillimisht në një rajon të vogël të Rusisë, 2016-ta mbërrin në pjesën më të madhe të Australisë, duke nisur nga Melburni, Sidnei e Kanberra. Sindei, që si përherë e pret Vitin e Ri përpara metropolove të tjera nëpër botë, e nis spektaklin e tij madhështor të fishkezjarreve 16 orë përpara rënies ikonë të sferës së kristaltë në Nju Jork. Këtë herë janë llogaritur dy spektakle fishekzjarresh, njëri në 9 të mëngjesit me orën lokale, tjetri në mesnatë. 23.000 fishekzjarre do të mbushin në ngjyra qiellin mbi Harbour Bridge.
Dubai sivjet ka planifikuar një spektakël piroteknik shumë më madhështor se ai i vitit të kaluar. Spektakli nis në qendër, ku ndërtesa më e lartë Burj Khalifa do të ndriçohet nga ngjyra të forta. Pas kësaj, do të marrë udhë spektakli i fishekzjarreve, për të cilat organizatorët nuk janë kursyer.
Për qindra policë e pjesëtarë të forcave të armatosura britanike, këtë fundviti nuk ka pushim. Frika e sulmeve terroriste, në sfondin e disa muajve të tensionuar për Europën, ka bërë që përgatitjet për ndërrimin e viteve në Londër të shoqërohen me një operacion të paprecedent sigurie. Raportet e shërbimeve të inteligjencës në fakt, paralajmërojnë mbi rrezikun e sulmeve terroriste islamike këtë fundviti në një kryeqytet europian.
2015 po i afrohet fundit e japonezët si rëndom i drejtohen tempujve për të shprehur dëshirat për vitin që troket. Japonia e feston ndërrimin e viteve ndryshe nga vendet perëndimore. Me kremtimet që zgjasin deri në 3 janar, mbrëmja e Vitit të Ri atje është mjaft e qetë, solemne e më shumë festohet në familje.
Krejt ndryshe është situata në Brazil, ku viti 2016 do të sjellë të njëjtën atmosferë shpërthyese me festën më të madhe në qiell të hapur në botë. Më shumë se 2 milionë vetë do të mblidhen në plazhin Kopakabana për spektaklin spektakolar të fishekzjarreve, muzikën gjëmuese ndërsa në pjesë të tjera të Rio de Zhaneiros janë organizuar kremtime të tjera nga më të ndryshmet.
Presioni është i madh për të kënaqur njerëzit në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ndaj dhe në Nju Jork është traditë të kryhet prova e lëshimit të confetti-t, përmes së cilës verifikohet saktësia e rënies së tyre, në mënyrë që përpara se të prekin tokën, të qëndrojnë në ajër aq sa ç’është llogaritur. Sa për sferën e kristaltë, premtimet janë që globi i mrekullueshëm këtë herë të jetë edhe më verbues se më parë: ngjyrat e shtuara vezulluese do ta bëjnë sferën më të shndritshme se kurrë më parë. Vigjilja e Vitit të Ri përkon me solsticin dimëror, thotë një nga organizatorët e eventit, Tim Tompkins. Dita zgjatet ndaj dhe kremtimi i dritës është pjesë e rëndësishme e simbolizmit që rrethon festimet e këtij viti, shton ai.
Top Channel