Merkel: Gjermanë, mos u përçani!

31/12/2015 13:50

Në fjalimin e saj të ndërrimit të viteve, Angela Merkel bëri thirrje për solidaritet. Fluksin e refugjatëve dhe integrimin e tyre, kancelarja gjermane e përshkroi si “një mundësi të së nesërmes”.

Në fjalën e gruas së fortë të Europës nuk gjeti vend kriza e euros, megjithatë nuk mbeti pa u përmendur kampionati europian i futbollit i vitit që vjen. Vëmendjen më të madhe sidoqoftë, e kishte ngërçi i emigrantëve. Solidariteti ynë është gjëja më e rëndësishme për Gjermaninë në vitin 2016, ishte komenti i saj.

“Është shumë e rëndësishme që të mos e lejojmë përçarjen mes nesh. As mes brezave, as mes grupeve sociale, as mes atyre që janë tashmë këtu dhe atyre që janë qytetarë të rinj të këtij vendi”, tha Merkel.
 
Njerëzit, vazhdoi Merkel, nuk duhen t’ i ndjekin nga pas ata që kanë ftohtësi apo urrejtje në zemrat e tyre e që pretendojnë se kanë të drejtën të quhen gjermanë dhe në emër të kësaj, të margjinalizojnë të tjerët. Me këto fjalë, kancelarja duket iu referua Pegidës, organizatës së europianëve patriotë kundër islamizimit të perëndimit, të cilën megjithatë nuk e përmendi në emër.

Merkel kujtoi se çdo vend që ka qenë i suksesshëm në integrimin e të ardhurve të rinj, ka përfituar nga një fakt i tillë si në planin ekonomik, ashtu dhe në atë social. Për këtë arsye, ajo e bëri të qartë se dëshiron që një numër i madh i refugjatëve të mbeten në Gjermani e të mos kthehen në vendet e tyre. Në të njëjtën kohë, siç sqaroi më pas, Berlini po punon për të përmirësuar mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Europës e për të luftuar që në rrënjë shkaqet e krizës së emigrantëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA