Rama: “Arena Kombëtare”, ndër stadiumet më të bukura në Europë

30/12/2015 00:00

Në konferencën e fundvitit për shtyp, kryeministri Edi Rama, veç bilancit për ekonominë, investimet dhe reformat, preku edhe sportin.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se në dy vjet qeverisje, investimet në këtë sektor kanë qenë shumë herë më të mëdha se në 23 vjet së bashku.

“Duke qenë se ne e shikojmë të lidhur aktivitetin e arsimit me atë sportiv, pa hyrë në çfarë kemi bërë për të çuar përpara projektin tonë të sportit në shkollë, ku kemi kthyer orët e edukimit fizik, dua të nënvizoj se kemi investuar për sportin jo më shumë, por me herë e me herë më shumë sesa 23 vjet të mbledhura së bashku”, deklaroi Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se, në fokus të punës së qeverisë është edhe restaurimi i fasadës së infrastrukturës sportive, duke premtuar se, së shpejti sportdashësit shqiptarë do të kenë stadiumin e ri.

“Kemi filluar bashkëpunim me FSHF për transformimin e infrastrukturës së stadiumeve tona dhe faktikisht është në përfundim stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa jemi shumë afër për nisjen e punës për “Arenën Kombëtare” në Tiranë, që do të jetë pa diskutim një nga stadiumet më të bukura në Europë, për një nga skuadrat kombëtare që është në finalet e Europianit të Francës, kombëtares kuqezi”, tha Rama.

Top Channel