Atentat me armë zjarri në Sarandë, plagosen dy persona

30/12/2015 00:00

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mesditën e së mërkurës, rreth orës 15:45, në qytetin jugor të Sarandës, nga i cili kanë mbetur dy persona të plagosur, njëri në gjendje të rëndë për jetën.

Nga komunikata e Policisë mësohet se, të plagosur ngelën shtetasit Rudin Haxhia, 38 vjeç, si dhe 28-vjeçari Emeid Haxhia, të dy djem xhaxhallarësh me banim në Tepelenë, teksa i pari ka marrë 5 plumba në pjesën e shpatullës dhe një në këmbë, ndërsa i dyti vetëm dy plumba në këmbë.

Ata kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e tyre tip “Volkswagen” në aksin rrugor Delvinë-Bistricë (Krane), kur janë qëlluar me armë të tipit kallashnikov nga persona të paidentifikuar që udhëtonin me një mjet tip “Audi”. “Volkswagen”-i me targa AA 945 JG është në pronësi të shtetasit B.Ll., 30 vjeç nga Vlora, por drejtohej nga shtetasi Emeid Haxhia.

Nga informacionet paraprake dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë 39-vjeçari Rudin Haxhia, ndaj të cilit nuk është hera e parë që janë kryer atentate, por në 4 raste të mëparshme ai ka mundur të shpëtojë. Ai njihet si pronar i një diskoje verore, teksa ka qenë më parë edhe efektiv i policisë.

Pas transportit për në Spitalin Rajonal të qytetit bregdetar jugor, Rudin Haxhia është nisur menjëherë për në Spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë, për mjekim më të specializuar.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar në vendngjarje 18 gëzhoja model “56” dhe një gëzhojë pistolete të tipit “TT”. Shërbimet e Policisë së Sarandës dhe Delvinës janë organizuar dhe kanë ngritur pika të shumta kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel