Pas deklaratës së deputes Jorida Tabaku, reagoi kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter.
“SHQUP, mos qaj për shpërblimet për të varfërit e pensionistët”, u shpreh Rama në postimin e tij.
Në këtë reagim, ai u tha zyrtarëve të opozitës të kujtohen për kohën kur ata qeverisnin vendin.
“Në 2010 shpërblimet ishin zero, në 2011 prapë zero dhe në 2012, meqë vinin zgjedhjet, 2000 lekë”, tha më tej Rama.
Menjëherë pas këtij postimi, Partia Demokratike bëri një tjetër deklaratë, ku e akuzoi kryeministrin Rama se, për shkak të politikave të tij të mbrapashta është rritur me disa mijëra numri i familjeve që jetojnë në mjerim.
Partia Demokratike thotë se, “shpërblimi prej 2 mijë lekësh për pensionistët është tallje dhe lëmoshë, ndërkohë që vetëm nga doganat dhe tatimet janë vjedhur këtë vit 400 milionë dollarë, ndërsa nga tenderat 777 milionë dollarë”.
Demokratët thonë se shqetësimi i tyre i vetëm është se, “vendi drejtohet nga një kryeministër që i trajton qytetarët herë si lypësarë, herë si hajdutë, që i tall si qytetarë pa dinjitet, duke i vjedhur, mashtruar dhe burgosur”.
Top Channel