PD, Olli: Buxheti i bashkisë shkon për klientët e Edi Ramës

29/12/2015 15:00

Partia Demokratike denoncoi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës duke e cilësuar si një akt që dëmton kryeqytetin dhe banorët e tij, sepse rrit taksat dhe ul investimet në shërbim të qytetarëve, duke mos parashikuar zhvillim infrastruktoror për Tiranën e madhe pas ndarjes së re territoriale.

“Tashmë është e qartë se pse Erion Veliaj tenton të kalojë turravrap e në mungesë totale transparence aktin më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, buxhetin. Ky projektbuxhet, përveç rritjes marramendëse të taksave e tarifave, nuk ofron asgjë për kryeqytetin. Përkundrazi, përqendron në duar të klienteve të pushtetit dhe miqve të Edi Ramës pasuritë publike të kryeqytetit”, deklaroi kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli.

Gjithashtu, vijoi ai, “Bashkia e Tiranës ka parashikuar nivelin më të ulët të investimeve publike dhe rritjen më të madhe të taksave dhe tarifave. 30 taksa dhe tarifa më shumë do të duhet të paguajnë qytetarët dhe bizneset e Tiranës”, saktësoi Olli.

Më tej, Olli publikoi një listë që tregonte rritjen e taksave dhe tarifave sipas projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.

“Kështu, me rreth 200% rritet taksa e fjetjes në hotel, me 1000% parkimi me pagesë, me rreth 700% tarifa për zënien e hapësirave publike dhe me të paktën 140%, tarifa për shërbimet veterinare. Kjo është dëshmi e qartë se sa thellë do ta zhysë tashmë dhe drejtori i Ramës në bashki dorën në xhepat e banorëve dhe bizneseve të Tiranës. Dhe kjo grabitje ditën për diell, nuk parashikohet të shkojë në dobi të investimeve publike, aspak”, u shpreh Olli.

Ai shtoi se, “pothuajse një e pesta e buxhetit të bashkisë parashikohet vetëm për paga e shpenzime operative të aparatit të këtij institucioni dhe vetëm 1% për programin për zhvillimin ekonomik dhe punësimin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA