Çështja ‘Cheryshev’, mund të ketë pasoja për Realin

29/12/2015 00:00

Reali i Madridit ka vendosur t’i drejtohet gjykatës civile për të apeluar vendimin për eliminimin nga Kupa e Mbretit për shkak të çeshtjes Cheryshev, vendim që u konfirmua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. Por kjo lëvizje mund të rezultojë me pasoja të rënda për skuadrën madrilène, që mund të ndëshkohet nga FIFA dhe UEFA.

Sipas asaj që publikohet te portali spanjoll sportyou.es, organizmat më të lartë të futbollit në Evropë dhe në botë nuk i lejojnë klubet që t’u drejtohen instancave jo sportive për çështje tërësisht sportive. FIFA mund ta ndëshkojë Realin e Madridit me 3 mënyra. Së pari, Reali i Madridit mund të gjobitet me 100 mijë Euro. Së dyti, klubit merenges mund t’i hiqen pikë në kampionat, edhe pse ndëshkimi është për një ndeshje të Kupës së Mbretit dhe së fundmi, Reali rrezikon të pezullohet nga aktivitetet kombëtare si Kupa e Mbretit apo La Liga e sezonit të ardhshëm apo dhe Liga e Kampioneve.

Federata Spanjolle e Futbollit duhet të paralajmërojë Realin e Madridit që të bëjë deklaratë në UEFA dhe FIFA për vendimin e tij, që t’i drejtohet gjykatës civile për eliminimin nga Kupa e Mbretit. Herën e fundit që u shënua një rast i ngjashëm me këtë të Realit, ishte në vitin 2011 me protagoniste skuadrën e Sion, që u përjashtua nga Europa League për shkak të një parregullsie në formacion në sfidën me Celtic.

Top Channel