Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar lidhur me depozitimin e dosjes së privatizimit të OSSH-së në Prokurori. Basha thotë se është tepër vonë për të mbuluar gjurmët. “Qerrja e transparencës ndërkombëtare ka filluar të lëvizë”, thotë kreu i PD-së.
“Kokoshi 200 milionë dhe zengjini i tij shpresojnë më kot se duke hedhur tym do të arrijnë të mbulojnë gjurmët dhe transfertat e tyre bankare off shore. Tepër vonë. Janë kapur me presh në duar. Do të paguajnë deri në kaçidhen e fundit paratë që ju vodhën shqiptarëve. Qerrja e transparencës ndërkombëtare ka filluar të lëvizë. Nuk kanë për ta shantazhuar dot, nuk kanë për ta blerë dot, nuk kanë për ta ndalur dot me ligj të posaçëm siç ndalën përkohësisht drejtësinë shqiptare. Ora po troket mbrapsht për Edi Ramën me 40 hajdutë”, shprehet Basha.
Ai e quan një lojë me pseudo padi për ti hedhur shqiptarëve hi syve. Qeveria e pati shansin për hetim të drejtë për këtë çështje, thotë Basha duke iu referuar dhe kërkesës për hetim ndërkombëtar të PD-së, “por nuk e bënë sepse e vërteta do të nxirrte në dritën e diellit vjedhjen e shekullit”.
Top Channel