Ricciardo për “Red Bull”: Do të përmirësohemi në vitin 2016

27/12/2015 00:00

“Red Bull” nuk përjetoi sezon të mirë në Botërorin e Formula 1 të vitit 2015. Skuadra austriake u rendit e katërta në renditjen e përgjithshme për konstruktorë, një situatë kjo e vështirë për të gjithë dhe këtë e përshkruan edhe Daniel Ricciardo.

Piloti australian deklaroi pavarësisht gjithçkaje, te “Red Bull” të gjithë qëndruan të bashkuar dhe kjo e bëri këtë skuadër më të fortë.

“Mendoj se 6 muajt e parë ishin si një fazë prove për të gjithë ne”, tha Ricciardo në një intervistë për Motorsport.com. “Ishte një nga ato momente ku gjërat nuk po ecnin më. Duhej të gjenin alternativa të tjera ose të shtonim ritmin e punës. Ishte diçka e mirë për mua si pilot që kalova çaste të tilla kaq të vështira, pas atyre momenteve të suksesshme. Si skuadër ishte një përmbysje e situatës dhe gjërat mund të shkonin edhe më keq, por në mes të sezonit makina filloi të bëjë paraqitje shumë më të mira. Të gjithë ishim të bashkuar dhe kjo gjendje na bëri më të fortë”.

Gjithsesi, Ricciardo nuk e fshehu optimizmin e tij për vitin 2016, duke theksuar se gjërat për “Red Bull” do të përmirësohen, por shtoi se kjo skuadër do të duhet të presë kohë për të qenë në të njëjtin nivel me “Mercedes”.

“Viti tjetër padyshim që do të jetë më i mirë për ne, por për të arritur nivelin e Mercedes do të na duhet të presim ndoshta vitin 2017”, vijoi Ricciardo. “Megjithatë asnjëherë nuk dihet si do të shkojnë gjërat, pasi nuk mund të bësh parashikime”. 

Top Channel