Monza, ende pjesë e F1; Seanti shpëton garën italiane

27/12/2015 00:00

Monza do të vazhdojë të jetë pjesë e Formula 1. Senati italian miratoi një amendament në Ligjin e Stabilitetit që siguron qëndrimin e kësaj piste në kalendarin e kampionatit më të rëndësishëm të garave automobilistike.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport”, ky ligj e lejon Klubin Italian të Automobilizmit që të përdorë përfitimet e tij publike për të krijuar një fond që do të jetë në favor të kësaj gare.

Në fillim ishte Klubi Milanez i Automobilizmit ai që kishte të drejtën për të investonte në garën e Monzës, duke përdorur të ardhurat që siguroheshin nga shitja e biletave. Me ligjin e ri, fondi prej 12.5 milionë dollarësh i Klubit Italian të Automobilizmit do t’i shtohet atij prej 6.5 milionë dollarë të Klubit Milanez për të bërë investimet e duhura për garën e Monzës.

Me miratimin e këtij amendamenti në Ligjin e Stabilitetit, nuk mbetet gjë tjetër veçse të firmoset marrëveshja me Bosin e Formula 1, Bernie Ecclestone, proces ky që do të ndodhë në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Top Channel