Urbanët fiken më 1 janar, bashkia: Nuk lejojmë rritjen e çmimit

23/12/2015 12:25

Shoqatat paralajmëruan ndërprerjen e transportit urban në kryeqytet më datë 1 janar. Pasi u pritën në Bashkinë e Tiranës nga kryetari Erjon Veliaj të cilit i kërkuan rritjen e çmimit të biletës nga 30 në 70 lekë, shoqatat thonë se në kushtet e një krize të përgjithshme financiare e kanë të pamundur të vijojnë të japin shërbimin për qytetarët.

“Nuk bëhet fjalë për greva, bëhet fjalë që ne nuk kemi mundësi të vazhdojmë më. Jemi në borxhe”, tha Gugash Dollia, Shoqata e Shërbimit të Transportit Urban.

“Kemi hedhur nga 2-3 milionë euro, kemi blerë autobuza të rinj, kemi 1500 punëtorë. Kemi 4-5 muaj nuk po i japim më paga shoferëve. Kemi marrë kredi. Mos harroni kemi kaluar një 5-vjeçar nuk kemi arritur ti shlyejmë kreditë, dhe me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë, kemi bërë ristrukturim kredie”, tha Ferdinand Ibrahimi, Shoqata e Shërbimit të Transportit Urban.

“Ne sot nuk u morrëm vesh. Ne më dantë 1 janar nuk ecim, do mbyllim mjetet”, u shpreh Hasbi Parllaku, Shoqata e Shërbimit të Transportit Urban.

Por nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku përjashton kategorikisht rritjen e çmimit të biletës për qytetarët pavarësisht se pranon gjendjen e vështirë të sektorit.

“Situata është e rëndë, porkryetari i bashisë i bëri të qartë kompanive, bileta 70 lekë nuk është në diskutim. Ne duhet të shohim mënyra alternative për të lehtësuar problemin e kompanive, jemi duke diskutuar paralelisht me ta, bankat apo kompanitë e naftës që u kanë kryer shërbime këtyre dhe kanë kosto të prapambetura”, tha Arbian Mazniku, nën kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Nënkryetari i bashkisë në anën tjetër thotë se ndërprerja e kontratave me këto shoqëri nuk është qëllim i bashkisë së Tiranës por zgjidhja e situatës si dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe mbulimi me linjë urbane i kryeqytetit në masën 100 %.

Top Channel