Thohir: Messi tek Inter? Pse jo

23/12/2015 00:00

Presidenti i Interit, Erick Thohir ju ka dhënë një mundësi për të ëndërruar tifozëve zikaltër në vigjilje të Krishtlindjeve. Edhe pse në pamje të parë duket si diçka e pabesueshme, Messi tek Inter pas dy vitesh mund të jetë një realitet.

“Messi tek Inter? Pse jo. Kur të përfundojë kontrata e tij me Barcelonën, mund të ishte një zgjedhje e madhe”, tha Thohir, fjalët e të cilit janë publikuar edhe në llogarinë zyrtare të skuadrës zikaltër në Twitter.

Katër herë fituesi i “Topit të Artë” ka kontratë me katalanasit deri në vitin 2018 dhe në të kaluarën Moratti ka flirtuar jo pak me idenë e transferimit të yllit argjentinas.

Thohir gjithashtu ka komentuar edhe sezonin në të cilën po kalon skuadra e tij të cilën e ka vlerësuar si një “skuadër solide dhe me dëshirë të madhe për të fituar”.

“Po ndërtojmë një skuadër të re dhe të fortë nën urdhrat e Mancinit për t’u përballur me më të mirët në Europë. Jemi të parët në klasifikim pas 17 javësh. Jemi një skuadër solide, me një dëshirë të madhe për të fituar. Strategjia jonë është e qartë, duam ta sjellim Interin në postin që meriton mes 10 klubeve më të mirë në botë”, tha numri një i zikaltërve.

Top Channel