Spanjë, RFEF kërkon rinovimin me trajnerin Del Bosque

23/12/2015 11:45

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) dhe presidenti i saj Villar dëshirojnë qëndrimin e Vicente Del Bosques në pankinën e skuadrës përfaqësuese. Trajneri iberik, i cili feston 65-vjetorin e tij, e ka lënë disa herë të nënkuptohet se pas përfundimit të Evropianit të Francës do të largohet nga detyra e tij, por krerët e institucionit më të lartë të futbollit në Spanjë kërkojnë rinovimin e kontratës me të edhe pas këtij aktiviteti.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “El Mundo Deportivo”, bisedimet mes drejtuesve të RFEF-së dhe Del Bosques ende nuk kanë nisur, por kjo pritet të ndodhë në harkun e pak ditëve. Villar e sheh rinovimin me 65-vjeçarin si prioritetin kryesor të institucionit që ai drejton, duke qenë se vitin e ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet e reja në këtë federatë, ku ai ka vendosur të kandidojë sërish.

Në të vërtetë, Villar donte ta përdorte rinovimin me Del Bosquen si premtim elektoral, por problemi qëndron te vetë tekniku, pasi nuk dihet nëse ai e dëshiron vazhdimin e kësaj detyrë të marrë që nga viti 2008, kur zëvendësoi Luis Aragonesin.

Top Channel