Ndihma për familjen e varfër në Shkodër

23/12/2015 13:45

Dhjetra persona e organizata të ndryshme kanë shprehur gadishmërinë për të ndihmuar sapopak familjen Gjyrasha, në Grudë të Shkodrës.

Një ditë më parë Top Channel solli me qëllim sensibilizimi historinë e kësaj familjeje të cilën papunësia dhe sëmundja e një prej fëmijëve ka thelluar varfërinë ekstreme me të cilën po përballet.

Thirrjes së kryefamiljarit për ndihmë i janë përgjigjur shumë individë që kanë shprehur solidaritetin e tyre dhe mbështetjen materiale për t’ia lehtësuar varfërinë e për t’ia siguruar ushqime e veshmbathje, aq shumë të nevojshme për këtë familje.

Një grup të rinjsh të grupuar në emërtimin “Fundjava ndryshe” dhe që shpesh mbledhin ndihma për t’ia shpërndarë më të pamundurve, kanë dhënë kontributin e tyre duke i çuar kësaj familjeje në banesë ndihmat e mbledhura nga shumë individë.

Ne në Top Channel sollëm historinë e kësaj familjeje me synimin për të nxitur solidaritetin me familjet që e kanë të pamundur të gëzojnë në këto ditë festash. Si familja e Tom Gjyrashës ka shumë në gjithë vendin, të cilat kanë shumë nevojë për mbështetjen e solidaritetin e të gjithëve.

Top Channel