Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në komunikimin e fundit me mediat për këtë vit, ka vlerësuar si arritjen më të rëndësishme të klasës politike miratimin e ligjit për dekriminalizimin, që duhet të pasojë sipas tij me reformën në drejtësi.
“Në mbyllje të sesionit parlamentar të vjeshtës, Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se në përfundim të këtij sesioni, Parlamenti realizoi një vendimmarrje të rëndësishme, miratimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ndryshimeve kushtetuese që lidhen me të. Miratimi i këtij ligji është një hap tejet i rëndësishëm për rritjen e standardit të përfaqësimit politik në rrugën evropianizuese ku ka hyrë vendi”, ka deklaruar Vasili.
Konsensusi i arritur për këtë ligj, është shprehur ai, hap rrugën për të çuar përpara realizimin e reformës në drejtësi.
“Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet plotësisht kryerjen e kësaj reforme aq jetike për shqiptarët, si dhe kryerjen e saj sa më parë, në mënyrë gjithëperfshirëse dhe me cilësinë më të lartë”, ka thënë Vasili.
Në këtë drejtim ai ka vlerësuar raportin paraprak të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë reformë.
“Konkluzionet e këtij raporti reflektojnë edhe mjaft konstatime të bëra nga grupi parlamentar i LSI, të cilat u depozituan në Komisionin e Venecias së bashku me projektin e eksperteve”, ka thënë Vasili.
“LSI vlerëson se Komisioni i Venecias është gjykatësi i vetëm më i besueshëm dhe i nivelit më të lartë profesional i kësaj reforme, gjykatës i gjithëpranuar nga të gjitha partitë politike dhe këtë rol nuk mund ta luajë askush tjetër”, ka theksuar ai.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, numri dy i LSI ka thënë se, mirëpret deklaratën e kryetarit të PD, Basha, në favor të raportit të Komisionit të Venecias.
“Mua më vjen mirë për këtë deklaratë të zotit Basha. Sigurisht, pas kësaj deklarate duket qartë se rruga e konsensusit është gjithmonë e më pranë, sepse në fund të fundit, bashkëndajmë të gjithë faktin që gjykatësi i vetëm i reformës, pra Komisioni i Venecias, na ka dërguar qartë se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe çfarë duhet të përmirësojmë në mënyrë themelore në draftin që është paraqitur”, ka shtuar Vasili.
Top Channel