Fullani, përfundimisht i pafajshëm. Apeli vepron në kohë rekord

23/12/2015 00:00

Kur ekspertët vendas e të huaj ngrenë zërin për procese gjyqësore që zvarriten pambarimisht, gjyqi kundër ish-guvernatorit Ardian Fullani tregon se ata gabohen.

Me vetëm një seancë gjyqësore dhe dy muaj, pasi Shkalla e Parë e konsideroi të pafajshëm, Gjykata e Apelit ka shënuar rekord në këtë proces penal, duke e renditur gjyqin “Fullani” si pocesin më të shpejtë në historinë gjyqësore.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Lefter Jahaj, Shkëlqim Mustafa dhe Genti Shala lexuan vetëm dispozitivin, duke lënë në fuqi vendimin e tetorit të Gjykatës së Tiranës, duke konfirmuar sërish pafajësinë e ish-guvernatorit, i dyshuar nga Prokuroria për “shpërdorim detyre” në dy episode.

Për Fullanin, në Shkallën e Parë, Prokuroria këmbëguli mbi fajësinë për “shpërdorim detyre” nga ish-guvernartori, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij i kishte lejuar dorë të lirë Ardian Bitrajt, që të realizonte vjedhjen në Departamentin e Thesarit të 713 milionë lekëve.

Episodi i dytë i Prokurorisë ka lidhje me blerjen e hotel “Dajtit”, që sipas organit të akuzës ishte kryer në shkelje të procedurave. Për ish-guvernatorin, në Shkallën e Parë, Prokuroria kërkoi gjatë gjykimit të shkurtuar 5 vite burgim, ndërkohë që gjatë proceseve të tjera për episodin e supervjedhjes së Departamentit të Thesarit janë dënuar 15 persona.

Ende nën gjykim është ish-kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e cila ka kërkuar gjykim të zakonshëm.

Top Channel