Largimi i Mourinhos, Ancelotti: Dështoi t’i motivonte lojtarët e tij

22/12/2015 00:00

Për Carlo Ancelottin, arsyeja e largimit të Jose Mourinhos nga Chelsea është pamundësia e portugezit për të motivuar lojtarët e tij. “Special One” u shkarkua nga ekipi i Premier Leagues javën e kaluar, kur Chelsea ndodhej në vendin e 16, me vetëm 1 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Edhe pse ish-trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, i cili do të pasojë Pep Guardiolën në krye të Bayern Munchenit në fund të këtij sezoni, hedh pjesën më të madhe të përgjegjësisë te lojtarët, ai thotë gjithashtu se edhe Mourinho duhet të kishte bërë më shumë.

“Puna më e vështirë për një trajner është të mbajë skuadrën të motivuar, sepse brenda grupit, qoftë nëse shkon mirë ashtu edhe kur shkon keq, ka gjithnjë probleme për t’u zgjidhur. Kur gjërat shkojnë mirë, ekziston rreziku i çlodhjes dhe nënvlerësimit; kur shkojnë keq sigurisht që humbet shumë vetbesim. Megjithatë, trajneri duhet të bëjë gjithçka mundet për të ruajtur një balancë në këtë aspekt, veçanërisht duke shtuar dozat e vetbesimit kur gjërat nuk funksionojnë siç duhet”, thotë Ancelotti.

“Ishte pikërisht kjo gjë, për të cilën u desh të paguante Mourinho me largimin e tij. Fakti që ekipi nuk nisi me të njëjtin ritëm si vitin e kaluar, kur ata kishin një dëshirë të jashtëzakonshme për të bërë gjëra të mira pas një viti të keq. Këtë vit ishte krejtësisht e kundërta, ndaj dhe ai pagoi për mungesën e motivimit të lojtarëve”.

Ancelotti pasoi Mourinhon te Reali i Madridit, ndërsa tashmë do të zëvendësojë Guardiolën në “Allianz Arena”. Kjo është një tjetër sfidë e vështirë, por 56-vjeçari nuk i frikësohet aspak.

“Flasim gjithmonë për ekipe të mëdha. Gjëja më e rëndësishme është të gjendet një marrëdhënie e mirë trajner-lojtarë dhe t’u transmetosh idetë e tua, duke u përpjekur t’i bindësh lojtarët për forcën e ideve të tua”, shtoi italiani. “T’ua imponosh gjërat lojtarëve nuk është asnjëherë gjë e mirë. Rëndësi ka të krijosh mes grupit ndjenjën dhe besimin ndaj asaj që po kërkon t’u tregosh të bëjnë, e sigurisht edhe të sigurohesh që do të pranohen nga të gjithë”.

Ancelotti pritet të kalojë eksperiencën e parë në Bundesligë, pas karrierës së tij të pasur në Itali, Spanjë, Angli dhe Francë.

Top Channel