“Hakmarrja” e Ancelottit, bllokon kalimin e Lewandowskit te Reali

22/12/2015 00:00

Reali i Madridit has në një pengesë të madhe në planin e tij për blerjen e Robert Lewandowskit. Bëhet fjalë për Carlo Ancelottin që në sezonin e ardhshëm do të ulet në pankinën e Bayernit të Mynihut për të zëvendësuar Pep Guardiolën.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “AS”, një prej kushteve që trajneri italian u vendosi drejtuesve të kampionëve të Gjermanisë për të pranuar ofertën e tyre, ishte mbajtja e sulmuesit polak në Bavari.

Ancelotti i dinte planet e Florentino Perez për blerjen e futbollistit 27-vjeçar dhe për këtë arsye kërkoi qëndrimin e tij. Italiani ka si synim të vendosë Lewandowskin në qendër të projektit të tij së bashku me Daglas Costën.

Bayern nga ana e tij, nuk e ka përfshirë në kontratën me Lewandowskin klauzolën për zgjidhjen e saj, pavarësisht kërkesës së bërë nga agjenti i futbollistit përpara dy vjetësh.

Kjo do të thotë se Reali i Madridit do të jetë i detyruar të përfshihet në bisedime me klubin gjerman nëse do të dëshirojë shërbimin e sulmuesit. Lewandowski ka firmosur me Bayernin një kontratë deri në vitin 2019 me 10 milionë euro në sezon.
 
Reali i Madridit i ofron 12 milionë, ndërsa PSG akoma më shumë, 15 milionë. Ancelotti nuk e dëshiron shitjen e tij dhe vetëm një kompensim marramendës mund të bëjë që polaku të shkojë në “Bernabeu”.

Top Channel