Demi: Partizani do t’i rikthehet kohëve të lavdishme

22/12/2015 00:00

I ftuar në “Procesin Sportiv” në Top Channel, Presidenti i klubit të futbollit të Partizani, Gazmend Demi është shprehur se “klubi i kuq” do të hyjë fuqishëm në merkaton e janarit, duke afruar 3-4 lojtarë tepër cilësorë, të cilët do të japin kontributin e tyre në pjesën e mbetur të Superiores.

“Te Partizani në janar do të afrohen 3 apo 4 lojtarë të niveleve të larta. Shpresojmë që të dalin kështu, por në opinionin tim jemi duke folur për lojtarë të niveleve të larta”, tha Presidenti i Partizanit.

Ai foli edhe për të ardhmen e klubit, duke u shprehur se synon të rikthejë Partizanin e kohëve të lavdishme, të ditëve të tij më të mira.

“Partizani do t’i rikthehet kohëve të Panos së lavdishëm”, u shpreh Gazmend Demi.

Për sa i përket veprimit të Sukajt në ndeshjen e fundit që Partizani pati kundër Skënderbeut në Korçë, Demi e cilësoi atë si një veprim shumë të ulët.

“Në momentet e para mendova se gaboi arbitri, por pasi pash pamjet pas ndeshjes e kuptova që kishte qenë një veprim shumë i rëndë dhe i ndëshkueshëm. Edhe ne kemi atë Komisionin tonë të Disiplinës dhe ky rast sigurisht që do të shqyrtohet”.

Top Channel