Rama, vizitë në Izrael. Firmoset deklarata e miqësisë, nënshkruhen disa marrëveshje

21/12/2015 11:05

Takimi i dy delegacioneve e kaloi kohën e parashikuar në protokoll, duke folur mbi çështje, për të cilat të dyja palët ishin të interesuara, si përforcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimi në fushat e energjisë dhe sektorit të ujit të pijshëm.

Më pas, kryeministrat iu drejtuan mediave të pranishme në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku kryeministri Rama theksoi rëndësinë e një partneriteti mes dy vendeve, veçoi luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe u ndal tek uji i pijshëm, çfarë – sikurse tha ai, – Izraeli nuk e ka por e siguron, ndërsa Shqipëria e ka dhe nuk mund të përfitojë.

“Është një nder i madh për mua dhe një privilegj, që të jem këtu si kryeministër i Shqipërisë. Gjithashtu ndihem shumë i nderuar, sepse jemi këtu të nënshkruajmë deklaratën e miqësisë, në një moment kur marrëdhëniet tona kanë nevojë të forcohen, kjo edhe për shkak të sfidave të përbashkëta. Ne jemi shumë të qartë dhe të prerë në qëndrimin tonë ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës. Jemi shumë të lumtur, që së bashku të parashikojmë një rritje të bashkëpunimit tregtar, një rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat”, tha kryeministri Edi Rama.

Ndërsa kryeministri izraelit, Beniamin Netanyahu u ndal te miqësia e mirë mes dy vendeve dhe vlerësoi edhe një herë sakrificat e popullit shqiptar gjatë periudhës së holokaustit, të cilët i qëndruan pranë popullit hebre, gjatë persekutimit që u bëhej në Europë.

“Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë tanë dhe vlerësojmë ndjenjën e njerëzimit, të qytetërimit dhe kurajën që treguat ju gjatë kohës sonë më të zymtë. Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua, që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete, të cilat mbulojnë një spektër shumë të gjerë. Gjithashtu do të firmosim disa marrëveshje për të përforcuar dhe pasqyruar miqësinë tonë dhe, me këtë frymë miqësie unë, kryeministër Rama, Ju uroj mirëseardhjen në Jeruzalem”, tha Beniamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Vizita e kryeministrit Rama në Izrael përkon me 25-vjetorin e marrëdhënieve të përbashkëta diplomatike mes dy vendeve. Gjatë takimit mes dy delegacioneve u nënshkrua marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, si dhe memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Autoritetit të Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në Izrael, në lidhje me promovimin e edukimit dhe përkujtimit të holokaustit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA